Austriakët me “No Shadow”, me gjuhë origjinale

Në  kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Kosovë

Mbrëmja e së enjtes ishte rezervuar për trupën e Austrisë, të cilët kanë prezantuar shfaqjen “No Shadow”. Ndërkohë, në mbrëmjen e së premtes është prezantuar trupa ukrainase me shfaqjen „Rasa“, ndërkaq, në mbrëmjen e sotme do të prezantohet shfaqja kosovare “Çifti Martin”, me regji të Bekim Lumit, për t’u përmbyllë ky festival në mbrëmjen e së dielës me shfaqjen “Topani vo nota”, nga Maqedonia.


Një skenografi e thjeshtë, ca letra, peceta dhe katër pjata me miell kanë shërbyer për aktorët austriakë, Nigar Hasib dhe Shamal Amin, të cilët, me këto elemente kanë plotësuar skenën, me lojë, vallëzim, vizatime e këndim, të cilët janë prezantuar me shfaqjen “No Shadow”, me drejtoreshën artistike, Nigar Hasib dhe regjisorin kërkimor, Shamal Amin, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, në mbrëmjen e së enjtes, në sallën e Fakultetit të Arkitekturës dhe Inxhinierisë Elektrike.

 

Me projekt-hulumtimin “No Shadow”, dhe kërkimin e vazhdueshëm „Këngët si burim“, Teatri laborator „Lalish“, nëpërmjet shfaqjes i është përkushtuar hulumtimit arkeologjik tashmë pothuajse të harruar të zërit njerëzor, prejardhjes së tij individuale dhe kulturore, si dhe ndikimit të tij të drejtpërdrejtë. Higar Hasim dhe Shamal Amin synojnë zbulimin e një gjuhe origjinale, ndërmjetësuese dhe artistike, jashtë simbolizmit gjuhësor konvencional. Kjo gjuhë e re jolinguistike këmbëngul në rrokje, zëra, tone dhe shprehje të tjera të mundshme zanore, që burojnë nga kulturat e llojllojshme e të ndryshme. E gjithë kjo çon kah një rrugë komunikimi në shfaqje dhe punë te veçantë në ndërtimin e teknikave të tyre eksperimentale të zërit dhe këndimit. Zërat dhe këngët bëhen burim i ritmit, i pranisë fizike dhe gjithashtu vetër e veprimit. Këtë fazë të re në punën e Teatrit laborator „Lalish“, Shamal Amin me plot zgjuarsi e quajti „Zgjimi i solemnitetit abstrakt“.

“Ne krijojmë një hapësirë rrjedhëse, ku zërat dhe këngët kthehen në kënaqësi. Zëri i ngjet veprimit që gjithmonë të lejon të zbulosh diçka të re”, është thënë me rastin e realizimit të kësaj shfaqje.

Prandaj kjo gjuhë e re jolinguistike në punën e shfaqjes së Teatrit laborator Lalish dallohet fundamentalisht nga të ashtuquajturat gjuhë artistike të teatrit botëror, të cilat, para se gjithash, merren drejtpërdrejt me reprezentimin, gjërat, subjektet dhe rrëfimet. Shamal Amin dhe Nigar Hasib gjithnjë përpiqen të krijojnë një hapësirë të zbrazët, e cila pastaj mbushet me zëra dhe lëvizje. Një hapësirë ku mjediset kthehen në një „Gjithkund dhe askund“, në një hapësirë rituali, dhe ku koha shndërrohet në një “Përherë dhe kurrë”, në një kohë rituali. Ndërkohë, në kuadër të edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Kosovë, në mbrëmjen e së premtes do të prezantohet trupa nga Ukraina me shfaqjen “Rasa”, ndërkaq, në mbrëmjen e sotme do të prezantohet shfaqja kosovare “Çifti Martin”, me regji të Bekim Lumit, për tu përmbyllur ky festival në mbrëmjen e së dielës me shfaqjen “Topani vo nota”, nga Maqedonia.

Lalish Theatre

Teatri-laborator Lalish është një qendër eksperimentale e kërkimit të ritualeve dhe aktivitetit performativ ndërkulturor, e cila merret me çështjen e “pranisë së trupit në kohë dhe hapësirë” dhe “burimet e festimit”. Ky teatër u themelua në vitin 1998 në Vjenë (Austri) nga Shamal Amin dhe Nigar Hasib, dy artistë të jashtëzakonshëm nga Kurdistani, të cilët më parë, prej vitit 1985 e deri më 1991, dhe prej vitit 1992 deri më 1999, zbuluan teknika të llojllojshme të shfaqjeve të ritualit, këndimit dhe kulturës në Lindje të Afërt dhe Evropë. Në këtë kontekst, në aktivitetin performativ eksperimental dhe ritual të Teatritlaborator Lalish, këngët dhe zërat nuk përdoren për ta bërë punën më dramatike, as për t’i lidhur së bashku dy skena apo për ta pasuruar përmbajtjen e këngës. Bile ata as nuk këndojnë këngë të veçanta për situata të rëndësishme. “Kënga si burim” në Teatrin-laborator Lalish shkon përtej kufijve dhe i dekonstrukton teknikat e tilla. Projektet hulumtuese të Teatrit Lalish janë bërë në Kurdistan, Irak, Egjipt, Tunizi, Austri, Gjermani, Holandë, Angli, Francë, Zvicër, Suedi, Danimarkë, Poloni, Greqi, Kosovë, Ukrainë dhe Japoni, si dhe bashkë me institucione të ndryshme, artistë ndërkombëtarë, dramaturgë dhe etnologë, dhe konsiderohet si shteg i ri drejt krijimit të ritualeve nga aktiviteti i shfaqjes. Mënyrat e punës që rrjedhin nga Teatri-laborator Lalish, si “aktiviteti i shfaqjes ritual” dhe “kënga si burim” bashkë me të gjitha teknikat e shfrytëzuara, vazhdojnë të zgjojnë interes të madh ndërkombëtar.