Teatri Lalish – zëri që “shihet”
“Zëri për sy, jo sall për vesh. Këndo,
kësisoji unë e shoh se ti po vepron.”
Përgjithësisht, teatri tradicional evro-amerikan, i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë i lidhur ngusht me tekstin e shkruar dramaturgjik, rolin e zërit e ka kufizuar në plasimin e këtij teksti përmes fjalës së artikuluar nga aktorët.
Duke e vënë kryesisht në shërbim të dialogjeve verbale me përmbajtje apo domethënie të caktuar, teatri evro-amerikan i ka shpërfillur dhe anashkaluar mundësitë e shumta të zërit. Por, se zëri është shumë më tepër se veç artikulim i fjalës apo veç plasim i tekstit të mësuar përmendësh, këtë njeriu ka mundësi ta provojë nëse i rastis të jetë dëshmitar i ndonjërës nga performansat e Teatrit Lalish nga Vjena. Të jesh shikues i shfaqjeve të këtij teatri don të thotë ta përjetosh skajshmërisht fuqinë dhe pushtetin e vërtetë të zërit njerëzor, i cili, si një Atlantidë e fundosur tingujsh, vazhdon të rrijë i fshehur në zgafellat, labirinthet dhe humbëtirat e trupit e të shpirtit të njeriut. Zatën, pas gjurmëve të kësaj “Atlantide vokale”, përmes ekspeditave etnologjike dhe antropologjike në kulturat dhe qytetërimet e hershme e të tashme, ngarendin dy “bardët primitivë” të këtij teatri, Nigar Hasib dhe Shamal Amin, nga Kurdistani. Me pasion dhe dashuri të pazakonshme, ata, që prej shumë vitesh, përmes eksplorimit të përditshëm laboratorik në Teatrin Lalish, vazhdojnë t’i gjurmojnë misteret e humbura të zërit njerëzor. Larg mondanitetit austriak vjenez, me të cilin, përveç vendit ku krijojnë, nuk i lidh asgjë më shumë, ata, me sokëllimat e tyre “primitive”, herë-herë shumë të ngjashme me britmat dhe këngët shqiptare majekrahu, duket sikur parashtrojnë një pyetje të vetme bukur të moçme: ç’është teatri?
Këto janë vetëm disa nga pyetjet në të cilat përgjigjet, varësisht nga pikëshikimi, mund të jepen në mënyra të ndryshme. Esenca e këtyre përgjigjeve, para së gjithash, lidhet me vetë mënyrën se si në Teatrin Lalish punojnë me zërin, si e trajtojnë dhe si e përdorin atë, nga ç’pjesë e trupit apo e shpirtit e nxjerrin dhe si e plasojnë atë. Të gjitha këto, padyshim, të bëjnë të mendosh gjatë, nga njëra anë, mbi limitet e pakufishme të zërit të njeriut dhe, nga ana tjetër, mbi po këta kufij dhe limite që njeriu i kohës tonë, nën trysninë e frenimit “urban”, ia ka krijuar këtij zëri.
Në Teatrin Lalish zëri nuk është vetëm diçka që dëgjohet, por, ai edhe “shihet” dhe, si i tillë, vepron. Nigar Hasib thotë: “Zëri për sy, jo sall për vesh. Këndo, kësisoji unë e shoh se ti po vepron”. Por, si mund të “shihet” zëri? Krejt ndryshe nga teatri konvencional evro-amerikan, në të cilin zëri kryesisht kufizohet me rolin e tij në shërbim të dialogut dramaturgjik në formë bashkëbisedimi apo shkëmbimi replikash, nga kuptimi dhe domethënia e të cilave kushtëzohen edhe intonacioni i zërit e, bashkë me të, edhe emocionet, gjestet dhe veprimet fizike të aktorëve, në Teatrin Lalish zëri, duke qenë plotësisht i çliruar nga këto konvenca stereotipe, shpërthen në të gjitha dimensionet e tij të mundshme, sa me fuqinë e tij të plotë, me thirrjet deri në sokëllima bubulluese, poaq me ngjyrimet, nuancat, vibracionet dhe drithërimat deri në pëshpëritje dhe ofshama të ethshme shpirti, të cilat, në mënyrë krejt spontane, i zgjojnë dhe i drejtojnë emocionet, shpërndërrimet e mimikës, gjymtyrët dhe krejt trupin e aktorit drejt gjesteve, lëvizjeve dhe veprimeve fizike, me domethënie shpesh poetike. Zëri, pra, është ai që i jep impulse trupit, përmes lëvizjeve dhe veprimeve fizike të të cilit ne, pavarësisht nga prania ose jo e fjalëve të (pa)kuptueshme, përpiqemi t’i evidentojmë shenjat dhe, brenda një konteksti semiologjik, t’i deshifrojmë dhe t’u japim atyre domethënie të caktuar.
Kësosoji, zëri audio/vizuelizohet, me çka ne, praktikisht, jo vetëm e dëgjojmë atë, por edhe e “shohim”. Më saktësisht, Nigar Hasib këtë proces e përshkruan kështu: “Këngët i krijojnë veprimet tona, mirëpo, veprimet tona nuk i interpretojnë këngët tona tekstualisht. Çdo këngë, çdo veprim vokalistik, parashkruan rezultatin e saktë të lëvizjeve trupore. Trupi lidhet drejtpërdrejt me ‘jetën dhe zhurmat’ dhe veprimi i tij, në vend të një teknike krejtësisht të pastër, bëhet organik. Me këtë mënyrë veprimi trupi nuk bëhet sall një pjesë e zërit dhe as zëri sall një pjesë e trupit, por të dy bashkë krijojnë harmoni, sepse harmonia është burimi më origjinal i shprehjes.” Ndërkaq, sipas Shamal Aminit, me të gjitha këto ata përpiqen të krijojnë “një hapësirë të rrjedhshme, në të cilën zërat dhe këngët kthehen në kënaqësi” dhe ku “zëri i përgjason një veprimi, i cili gjithnjë mundëson që të zbulohet diçka e re”.
Duhet vënë re, ndërkaq, se në Teatrin Lalish “aktorët” nuk luajnë role. Ata nuk e kopjojnë e as nuk e imitojnë askënd. Ata janë vetë vetja e tyre. Përveç kësaj, në këtë teatër nuk ka role kryesore dhe as role dytësore. Në njëfarë kuptimi, aty secili është kryesori. Aty secili është autor, regjisor dhe aktor. Rrjedhimisht, shfaqja në këtë teatër krijohet nga të gjithë. Është, me sa duket, vetë intuita, vetë instikti, vetë nevoja, ajo që, përmes zërit, e krijon fushën e gravitetit vokal dhe fizik, në të cilën ka vend të mjaftueshëm për idetë, talentin dhe kreativitetin e secilit. Gjithsesi, kjo qasje e tejkalon nocionin klasik për “autorësinë” dhe, në njëfarë mënyre, i demolon, i bën të paqena, poashtu edhe nocionet dhe konceptet e tilla klasike, si: “regjisor”, “aktor/e”, madje edhe vetë nocionin klasik “show/shfaqje”. Më shumë se një shfaqje të vetme, Teatri Lalish ta krijon mundësinë t’i shohësh njëkohësisht disa shfaqje. Njëfarësoj, mund të thuhet se në këtë teatër, brenda një shfaqjeje, secili, ashtu siç e ka rrëfimin apo historinë, e ka edhe shfaqjen e tij.
Në çfarëdo rasti, gjurmimi dhe eksplorimi pas zërit për Teatrin Lalish nuk kufizohet vetëm me një apo me vetëm disa kultura dhe identitete kombesh apo fisesh primitive. Ky gjurmim, gjithashtu, nuk kufizohet dhe as identifikohet veç me këtë apo atë kohë, gjuhë, vend apo qytetërim. Ai është i çliruar nga të gjitha këto barriera dhe, duke i pranuar të gjithë njëlloj, me shanse të barabarta, më shumë se për një apo veç disa modele, është i përcaktuar për shumëllojshmërinë e tyre. Kjo, padyshim, e bën përvojën dhe praktikën e këtij teatri krejtësisht të çliruar nga paragjykimet dhe plotësisht të hapur për vlerat që kjo apo ajo kulturë mund t’i ketë me interes për qëllimet dhe idetë e tyre.
Për Teatrin Lalish janë njëlloj të vlefshme sa teknikat e trupit dhe të zërit nga kulturat e Lindjes e të Anadollit Verior, poaq edhe ato nga kulturat e shfaqjeve perëndimore. Jo rastësisht, gjatë një vizite në Kosovë, Nigar Hasib dhe Shamal Amin nuk e fshihnin, madje e shfaqnin hapur, interesimin e tyre edhe për kulturën shqiptare, e cila, me sa duket, me begatinë e saj etnologjike, ishte një zbulim impresiv me interes për fushëveprimin e tyre. Nuk do të duhej, prandaj, të befasoheshim nëse, në një të ardhme, këngët apo ritualet e moçme shqiptare mund të jenë inspirim për krijimtarinë e tyre artistike. Mjafton që ato t’i shërbejnë eksplorimit dhe gjetjes së mënyrave të reja të të bërit teatër. Në një rast të tillë, Teatri Lalish do të mund t’i shndërronte ato, nga një zë që vetëm dëgjohet, në një zë që “shihet”.
Bekim Lumi
Albanischer Theaterregisseur und Lektor an Artakademie/Prishtina
Kosova, 2006