Rilindja e trupit në teatër përgjatë luftës. Rasti i "Teatrit në Kurdistan"

Shamal Amin
09/09/2010
Shekulli/Kulture

Në këtë tekst do të paraqesë rëndësinë e identitetit në teatër dhe rolin e teatrit përgjatë luftës në Kurdistan, të cilat do i elaboroj nga shënjimet në vijim.

 

Shënjimi i parë: Unë personalisht kam përjetuar tri luftëra të ndryshme: Luftën e Parë të Gjirit, në mes Iranit dhe Irakut (1980-1988), Luftën e Dytë të Gjirit (1990-1991), atëherë kur Iraku pushtoi Kuvajtin dhe luftën e gjatë kundër kurdëve, gjenocidin ndaj tyre, ushtrimin e dhunës, përdorimin e armëve kimike dhe të gazit helmues, shtypjen dhe shkatërrimin e gjuhës dhe kulturës kurde, si dhe, zhbërjen e identitetit për spastrimin e popullit kurd.

Shënjimi i dytë: Teatri përgjatë luftës në Kurdistan, ka qenë gjithmonë formë e rezistencës ndaj shkatërrimit. Ka qenë një rigjetje e identitetit, kulturës dhe rilindjes së individit. Në vitet '80 kanë zotëruar forma, drejtime dhe rryma të ndryshme në Jug të Kurdistanit. Këto forma jo vetëm që kanë pasur zhvillim të lartë estetik, por ato ishin përgjigje e drejtpërdrejt dhe reaksion ndaj luftës. Një drejtim është karakterizuar me punën dhe trajtimin e dramave dhe autorëve nga e gjithë bota. Nëpërmjet trajtimeve dhe qasjeve të reja të këtyre teksteve, filluan të zgjohen nostalgjitë dhe ëndrrat e popullit kurd për liri, e të cilat i manifestonin në mënyrë simbolike. Një drejtim tjetër i referohej aspekteve dhe burimeve të tyre kulturore. Në një formë bashkëkohore dhe poetike, filluan të përpunohen epet, mitet, figurat historike dhe tregimet e ndryshme kurde, në forma të sofistikuara. Nga kjo formë doli dhe u bë e rëndësishme çështja e identitetit dhe e kombësisë kurde, duke ritheksuar edhe njëherë vlerën dhe nevojën ekzistenciale të këtij komuniteti.
Ky disponim dhe kjo atmosferë qëndronin shumë afër kujtesës së publikut kurd. Drejtim i tretë ishte "teatri eksperimental kurd". Unë vetë isha bashkëthemelues, regjisor dhe drejtues i këtij grupi deri më 1991, kur mu desh të largohesha nga Kurdistani. Si krijues i ri i teatrit, vazhdimisht preokupohesha dhe shtroja çështje si: të identitetit/trupit, trupit/e luftës, luftës/ e rezistencës fizike.

Shënjimi i tretë:
Do doja të përshkruaja motivet që më shtynin drejt çështjes së identitetit/ e trupit të cilën e kam në qendër të punës time eksperimentale në teatër. Nëse me luftën nuk je ndeshur si ushtar në front, atëherë je ndeshur në një formë tjetër.
Përveç gazetave të përditshme dhe emisioneve në radio, edhe kanalet televizive irakiane të kanë stepur me orë të tëra para ekranit me programe me titull "Pamje nga lufta", të cilat transmetonin drejtpërdrejtë dhe gjerë e gjatë, sekuenca nga fushëbeteja.
Ushtarët iranianë mbajnë një çelës të varur në qafë (çelësin për në parajsë), të bindur se nëqoftëse bien në luftë, do të shkojnë në parajsë. Mijëra ushtarë të rinj, që prej moshës 12-vjeçare, janë dërguar në fushën e luftës për të shpërthyer minat me trupin e tyre të njomë dhe për t'ua përgatitur dhe çliruar zonën ushtarëve të tjerë iranianë. Në të njëjtën kohë, regjimi irakian përgatiste operacione ushtarake, me gaz helmues e armë kimike për shkatërrimin dhe zhdukjen e kurdëve, operacione të quajtura "Al Anfal". Si pasojë e këtyre rrethanave, kurdët si kurrë më parë u bënë të vetëdijshëm për identitetin e tyre.
Këto fakte provokuan dhe zgjuan "praxisin" tim në teatër. Ne gjeneratat e reja krijuese, gjithnjë na ka provokuar pyetje me rëndësi: Në atmosferë të tillë lufte, çfarë mund të bëjë teatri për njerëzit? Çfarë mund të japim ne? Dhe, përveç të tjerash, si të bëhet e gjithë kjo?
Përgjithësisht në teatër, puna fizike dhe vokale kanë qenë në qendër te eksperimentimit nga "Grupet teatrore dhe ansamblet eksperimentale kurde", mirëpo tashti, nga perspektiva e re, ajo u plotësua si nga aspekti teorik, ashtu edhe ai praktik. Ky konceptim ndaj trupit nuk ishte i rastësishëm.
Rrethanat u ndërlidhën me njëra-tjetrën dhe filluan të zhvillohen në një pikë të përbashkët. Madje, të gjitha aspektet, si ato politike, sociale dhe fetare, bashkëvepruan dhe shpunë drejt një koncepti të ri për të punuar me trupin dhe nëpërmjet trupit.

Shënjimi i katërt: Përveç luftës, ka pasur diskriminim politik, dënime dhe përndjekje ndaj artistëve të teatrit. Puna teatrore ishte luftë me fatin. Për shkak të një fjale apo një shenje (simbolike) që regjimit nuk i ka pëlqyer, artistët janë arrestuar dhe burgosur, madje në disa raste janë torturuar dhe ekzekutuar, pa ndonjë gjykim paraprak.
Ndonjëherë, njerëzit e shërbimit sekret, në mes të shfaqjes kanë hipur mbi skenë dhe kamerat e tyre kanë filluar ngadalë të filmojnë jo vetëm fytyrat e aktorëve, por edhe të çdo spektatori në sallë. Çdo shfaqje apo koncept regjisorial duhej të ishte i autorizuar dhe filtruar nga një komision i posaçëm i Qeverisë. Shpesh, aktorë apo mysafirë nga publiku, gjatë rrugës për në prova/shfaqje janë torturuar dhe arrestuar nga policia. Disa herë përgjatë një shfaqje, ka pasur edhe bombardime dhe sulme ajrore në qytet.

Shënjimi i pestë:
Nga "Projekti i shpellës" për në "Ekzil" Për mua, si një artist i ri, njeriu/trupi kishte një rëndësi shumë të madhe. Andaj edhe teatri për mua nuk e kishte rëndësinë teknike të pastër estetike, sa e kishte atë trupore-qenësore, individuale dhe ekzistenciale. Kjo do të thotë se trupi si proces, për mua ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe dhe është pikë qendrore e punës sonë konceptuale dhe njohëse. Këtu qëndron dilema ime ndaj trupit - pra, si esencë në mes të sakrificës dhe ringjalljes. Qysh më 1986, kur me disa artistë të rinj në qytetin Sulaimania (Kurdistani Jugor) themelova "Ansamblin eksperimental teatror kurd", brenda periudhës (1986-1990), kam realizuar projektet "Harig Ape" nga Eugene O'Neill, "Duke pritur Godonë" nga Samuel Beckett, "Përndjekja dhe vrasja e Jean Paul Marat" nga Peter Weiss dhe disa projekte të tjera mbi heronjtë e deri tek mitologjia kurde. Në fazën e zhvillimit të punës sonë në Kurdistan, më 1987, në banesën tonë patëm ndërtuar një hapësirë "teatri" për të thelluar dhe të vazhduar hulumtimin tonë në "çështjen e aspektit trupor". Ky zhvillim e ka origjinën në "Diwachan" kurde.
Në këtë "teatër-dhome", realizuam disa projekte interesante. Spektatorët kishin fare pak distancë nga interpretuesit. Të dy palët ndjenin frymëmarrjen dhe aromën e njëri-tjetrit, e nganjëherë, në rrethana të caktuara janë prekur/bashkëndjerë me njëri-tjetrin.
Ky "teatër-dhome" ishte dhe identifikohej si një rikthim në vet burimet tona kulturore, si dhe nën ndikimin e luftës, ky "teatër" pasqyrohej si tryezë e përbashkët familjare, si kolektiv dhe komunitet, që përpiqej të rigjente origjinën e tij pothuajse të harruar. Nga rezultatet e këtij teatri kam qenë i bindur se efekti i teatrit në përgjithësi, në ato rrethana lufte, bëhet i mundur vetëm përmes aktit solemn (të lirë) krijues të tij. Ceremonia për mua ishte marrëdhënie trup-qenie, ekzistencë.
Si rezultat i një pune të gjatë shfaqa konceptin tim të ri "Projekti i shpellës" (1989), si një "koncept fiziko-kulturor". Ky ishte projekt për metodat dhe praktikat autentike-hulumtuese të ekzaminimit të trupit dhe zërit në performanca kulturore kurde: një kërkim për solemnitet në veten tonë. Andaj, unë zgjodha shpellën "Anishki", si qendër hulumtuese e ansamblit tonë. Ky vend kishte rëndësi të madhe për kujtesën dhe identitetin tonë. Për mua, teatri ishte më shumë se një punë artistike për finalizimin e një produksioni shfaqjesh. Ishte një lloj ballafaqimi me jetën dhe botën.
Nga rrethanat e Luftës së Dytë të Gjirit (1991), "Projektit të Shpellës" iu desh të ndërpritej, dhe pas eksodit masiv të kurdëve në të njëjtin vit, me dhimbje u shpërngula në Vjenë. Anëtarët tjerë të Ansamblit u shpërndanë nëpër vende të ndryshme të botës, disa prej tyre edhe ranë viktima të luftës.

Shënjimi i gjashtë:
Nga mesi i vitit 1991, pasi Këshilli i Sigurisë i OKB-së krijoi një zonë mbrojtëse për kurdët në Irakun Verior, rezultoi një luftë e re në Kurdistan, e ashtuquajtura "Lufta vëllazërore" e cila si luftë civile zgjati për vite. Më 2003, kur regjimi diktatorial i Sadam Huseinit u rrëzua, filloi një luftë të re: terrorizmi. Atje në Irak, njerëz dhe krijues të teatrit ende përjetojnë dhe ballafaqohen me situata të tmerrshme jetike dhe krijuese.

(Autori është aktor, regjisor dhe drejtor i Laboratorit Teatror "Lalish" në Vjenë. Ky tekst, i përkthyer nga Alban Beqiraj, në formën e një kumtese, është prezantuar në Konferencën Ndërkombëtare për Teatrin - IPOË që është mbajtur në Teatrin Kombëtar të Kosovës nga data 25 - 27 qershor 2010)

Përktheu: Alban BEQIRAJ